TIRANË- Shqipëria do të rrisë financimin për sektorin e Mbrojtjes në vitin 2027 me një buxhet prej 76.3 miliardë lekësh ose 2.6% të Produktit të Brendshëm Bruto. Pas miratimit në parim të projektbuxhetit në Kuvend ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi ka bërë të ditur se fondet do të përdoren për modernizimin e Forcave të Armatosura, përmes blerjes së sistemeve të reja ushtarake dhe forcimit të kapaciteteve mbrojtëse.
Në listën e pajisjeve që parashikohet të blihen janë sistemet HIMARS dronët luftarakë, sistemet anti-dronë dhe ato të mbrojtjes ajrore, si dhe avionë krahëfiks. Investime do të ketë edhe për infrastrukturën ushtarake, mobilitetin dhe sigurinë e Korridorit VIII si dhe për kapacitetet e emergjencave civile.
Buxheti historikë i vitit 2027-të prej 10 miliardë eurosh ka ndikim të jashtëzakonshëm te siguria e qytetarëve dhe mbrojtja e vendit. Për qytetarët, kjo do të thotë më shumë siguri dhe për vendin do të thotë Forca të Armatosura më të përgatitura për sfidat e së nesërmes” u shpreh Nufi.
Ministri theksoi se projektbuxheti nuk përqendrohet vetëm te armatimi dhe teknologjia, por edhe te personeli ushtarak përmes investimeve në karrierë dhe përmirësimit të kushteve të shërbimit.
“Njëkohësisht, ky buxhet investon drejtpërdrejt tek njerëzit tanë me uniformë, te karriera e tyre ushtarake dhe kushtet e tyre të shërbimit. Ky është një investim në sigurinë e çdo qytetari dhe në të ardhmen e Republikës së Shqipërisë! Buxheti i vitit 2027 është rezultat një dekade transformimi ekonomik, me një Produkt të Brendshëm Bruto, i cili ka arritur në 30 miliardë euro; me një nivel papunësie, i cili është rekord 8.3%; investime të jashtëzakonshme; dhe me një ulje të ndjeshme të borxhit publik” theksoi ministri.
Në përfundim Nufi e cilësoi buxhetin e ri si një investim që synon të përkthejë rritjen ekonomike në më shumë siguri dhe përfitime për qytetarët.
“Ky është një buxhet, i cili kthen rritjen te qytetarët” përfundoi Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi./ZËRI