TIRANË- 35 persona kanë përfunduar në dyert e spitaleve pas përplasjeve të regjistruara gjatë protestës së 28 Nëntorit në kryeqytet. Mes të lënduarve janë protestues, efektivë policie, gazetarë dhe kalimtarë që janë gjendur në zonën e tensioneve.
Sipas bilancit të Ministrisë së Shëndetësisë, të publikuar në orën 18:00 në Spitalin e Traumës kanë kërkuar ndihmë 30 persona. Prej tyre 9 janë efektivë policie, 12 protestues, 6 gazetarë dhe 3 kalimtarë. Mes përfaqësuesve të medias është edhe një gazetare e huaj.
Dy efektivë janë transferuar për trajtim në QSUT, ndërsa një protestues dhe një gazetar janë larguar nga Trauma me këshillën e mjekut. Aktualisht, në këtë spital po marrin trajtim 26 pacientë të gjithë në gjendje stabël.
Pesë të lënduarit e tjerë janë paraqitur në QSUT, ku kanë marrë ndihmë tre punonjës policie, një protestues dhe një punonjës sigurie./ZËRI