
SERBI-Pas humbjes së zgjedhjeve të ish-presidentit Aleksandër Vuçiç, Serbia ka ndërmarrë një sërë hetimesh. Banka Kombëtare e Serbisë ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë për Krimin e Organizuar kundër ALTA Bankës, në pronësi të biznesmenit Davor Macura, i cili raportohet se ka lidhje të afërta me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të presidentit Aleksandçr Vuçiç, dhe disa personave përgjegjës të saj.
Kryetari i Partisë Demokratike në Serbi, Srdan Milivojeviç, pretendoi se ishte përgatitur transferimi i 50 milionë eurove nga ALTA Banka drejt një institucioni financiar jashtë vendit. Edhe opozita maqedonase kërkoi sqarime nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, duke ngritur dyshime se vendi mund të përdorej si pikë tranziti për transferimin e parave drejt Moskës. Deri tani, pretendimet për destinacionin përfundimtar të 50 milionë eurove nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Ndërkohë Marko Kriçak, kreu i Drejtorisë së Policisë Kriminale në Serbi, është arrestuar mëngjesin e kësaj të diele, me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, nën dyshimin për shpërdorim detyre. Mediat serbe raportojnë se arrestimi është kryer pas një kallëzimi penal nga avokati i Veselin Miliç, ndihmësdrejtor i policisë.
Kriçak dyshohet se ka falsifikuar prova dhe ka ushtruar presion ndaj dëshmitarëve dhe të akuzuarve në hetimin për vrasjen e Aleksandar Neshoviç Baja, në restorantin “27” në lagjen Senjak të Beogradit. Emri i Kriçakut është lidhur me disa episode të dyshuara të dhunës policore gjatë protestave studentore në Serbi.