
TIRANË- Pas afro një viti në treg, duke sjellë risi në hapësirën mediatike online në Shqipëri, ZËRI është bërë pjesë e Journalism Trust Initiative (JTI), Iniciativa për Gazetari të Besueshme, pjesë e rrjetit të Reporterëve pa Kufij. Ky rrjet synon krijimin e një standardi të ri për mediat online në të gjithë botën, të cilat shpesh kanë rënë pre e lajmeve të rreme apo atyre që shpërndahen me qëllim dezinformimin për kauza të caktuara. ZËRI bëhet në këtë mënyrë e dyta media online në Shqipëri, që i bashkëngjitet iniciativës, teksa paraprakisht ka kaluar një audit, jo vetëm për mënyrën dhe trajtimin e lajmeve të besueshme, dhe me interes për qytetarët, por edhe transparencën financiare të medias.
Në të gjitha lajmet që lexuesit do të kenë mundësi që të lexojnë në faqen online të ZËRI-t, do të shfaqet edhe logoja e JTI-së, që është një shenjë garancie që përmbajtja është në përputhje me standardet më të larta të gazetarisë. Ndërsa Shqipëria, por edhe vende të tjera përballen çdo ditë me lajme të rreme, ZËRI krijon kështu një standard të ri, duke iu bashkëngjitur iniciativës për gazetari të besueshme. Iniciativa për gazetari të besueshme, e iniciuar nga Reporterët pa kufij (RSF), është zhvilluar nga një panel prej 130 ekspertësh ndërkombëtarë nën kujdesin e Komitetit Evropian për Standardizim.
ZËRI shpjegon realitetin ku jetojmë përmes dokumentarëve, hulumtimeve speciale, videove shpjeguese dhe elementëve multimedialë. Një grup profesionistësh të rinj mbulojnë çështjet e politikës, aktualitetit, ekonomisë dhe temave që ndikojnë direkt në jetën e njerëzve. Ashtu siç thuhet dhe në përshkrimin e ZËRI-t, që prej ditës së parë të themelimit të tij, raportimi i bazuar në fakte është marka jonë unike. Ne vendosim standarde. /ZËRI