TIRANË- Sadik Llanaj, autori i dyshuar i vrasjes së 27-vjeçarit Ardian Baloshi, ngjarje e ndodhur mesditën e djeshme (8 qershor) ndodhet ende në arrati. Hetuesit kanë arritur të rindërtojnë lëvizjet e tij deri në zonën e Liqenit të Bovillës. Forcat speciale RENEA ushtruan kontrolle në rreth 15 objekte në këtë zonë, por pa mundur të gjejnë gjurmë të të kërkuarit. Paralelisht me operacionin në Bovillë, kontrolle janë zhvilluar edhe në zonat malore të Krujës, ndërsa burime bëjnë me dije se aksioni do të vijojë edhe gjatë ditës së sotme. Gjatë kërkimeve, policia ka gjetur të braktisur automjetin që dyshohet se është përdorur nga autori pranë Liqenit të Bovillës. Për zbardhjen e ngjarjes, policia ka marrë në pyetje 8 persona, të cilët nuk kanë dhënë detaje të vlefshme për grupin hetimor. Krimi ndodhi për motive banale, pas një sherri mes viktimës e autorit në një kalçeto, ndërsa dyshohet se mes tyre ka pasur edhe një konflikt të mëparshëm.
/ZËRI