TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur mbi zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi më 4 qershor në Tiranë. Ai dyshohet se është ekzekutuar nga shoku i tij, Armand Shakaj, i cili është shpallur në kërkim. Nga hetimet dhe pamjet e kamerave të sigurisë rezulton se Koçi është parë për herë të fundit në lokalin e Shakajt, në zonën e 'Sheshi Wilson', nga ku nuk doli më. Ndërkohë, Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar, ku raportoi se Koçi dyshohet të jetë mbajtur peng nga Armand Shakaj, i cili dyshohet ta ketë marrë me vete 34-vjeçarin me automjetin, që ëshë sekuestruar si provë materiale. Ndërsa në pranga është vendosur Enea Zyferi, 25-vjeç, i cili dyshohet se ka ndihmuar Shakajn për rrëmbimin e 34-vjeçarit. Sipas burimeve, Zyferi punonte kamarier në lokalin e Shakaj, ndërsa dyshohet të ketë qenë dëshmitar i vrasjes së Koçit. Ky i fundit, rezultonte i punësuar në një mobileri, por policia dyshon se ai ishte i përfshirë në aktivitetin e kriptomonedhave, që është një ndër pistat hetimore mbi të cilat është fokusuar policia. Policia po vijon kërkimet për gjetjen e trupit të të riut, si dhe po punohet për kapjen e Armand Shakajt.
/ZËRI