TIRANË- Numri i pronave të shitura nga subjektet e vrojtuara prej Bankës së Shqipërisë pësoi rënie në gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Sipas Vrojtimit mbi Ecurinë e Tregut të Pasurive të Paluajtshme, numri i përgjithshëm i pronave të shitura ishte 1273, ose 35% më pak nga numri i raportuar në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit (gjithsej 1959 prona të shitura). Numri mesatar i pronave të shitura nga çdo subjekt gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2025 rezultoi në rreth 8, në rënie të dukshme nga mesatarja prej 11 e raportuar gjatë gjysmës së parë të 2025. Por, pavarësisht rënies së shitjeve, numri i pronave të pashitura, si për banesat, ashtu edhe për godinat tregtare, ka vijuar të shënojë rënie. Në të njëjtën kohë, Banka e Shqipërisë vlerëson se çmimet e banesave vazhduan rritjen me ritme të larta në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar.
/ZËRI