
TIRANË- Dy sipërfaqe toke të quajtura “Vllatorja” dhe “Moskato” vlejnë 1 milionë euro. Dy copat e tokës, të cilat ndodhen në zonën e Himarës, i përkisnin mësuesit të 9-vjeçares, Irakli Likoka, por prej disa vitesh i ishin marrë padrejtësisht. Për të kërkuar të drejtën e tij, mësuesi bëri kallëzim në Prokurorinë e Vlorës dhe më pas çështja i kaloi Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila kërkoi një arrestim të dytë për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro dhe jo vetëm. Hetimet vazhdojnë edhe për kryebashkiakun e përkohshëm të Himarës, Arqile Bollano, i cili është edhe përfitues i pronës, e një nënpunës tjetër i quajtur Oleg Goro. Siç bën me dije gazetari Elton Qyno për "OraNews", si Bollano edhe Goro, rezulton të kenë përpiluar listën e personave që do të përfitonin tokë në Himarë dhe ndër to, kanë futur edhe veten, me pretendimin se nuk kishin përfituar nga ligji 7501 dhe duhet të pajiseshin me tokë.