
TIRANË- Gjyqtarja e Tiranës, Arnisa Këlliçi është përfshirë në një tjetër televonelë, pas asaj të raportuar më herët me prokurorin e Tiranës, Adriano Dyrmishi. Gazetari Elton Qyno raporton për OraNews se Këlliçi akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj burrit të saj, Klejd Këlliçi. Gjyqtarja aktualisht ndodhet me status e “pezulluar” me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), pasi prokuroria e Durrësit, e ka marrë të pandehur për akuzën e “Kallëzimit të rremë” dhe “Falsifikimit të dokumentave”, duke krijuar prova të rreme kundra prokurorit të Tiranës, Adriano Dyrmishit. Ngjarja ka ndodhur në mesnatën e 28 gushtit në rrugën “Reshit Çollaku” në Tiranë, ku forcat policore të komisariatit Nr.3 janë angazhuar për parandalimin e përshkallëzimit të një krimi në familjen Këlliçi, pasi në mesnatë bashkëshorti i saj është paraqitur në komisariat duke denoncuar Arnisën.
Gjatë kallëzimit, ai tha se ajo e ka dhunuar dhe kërkoi urdhër-mbrojtjeje që bashkëshortja ta linte të qetë. Po ashtu ai pretendoi se Arnisa Këlliçi e ka rrahur dhe ka shqetësuar fëmijët, të cilët i ka larguar nga shtëpia e tij tek tezja. Klejd Këlliçi, ka thënë në komisariat se nuk ka dëshirë të ngrejë një denoncim ndaj saj, por kërkon të pajiset me urdhër-mbrojtje. Menjëherë pas kallëzimit të tij, efektivët e komisariatit Nr.3, kanë thirrur gjyqtaren dhe për të marrë deklaratën e saj. Por gjatë dëshmisë, ajo tha se gjërat me bashkëshortin janë agravuar, pasi ai i ka thënë se fëmija i tyre nuk është i tij, por i një tjetër personi. Ajo tha se bashkëshorti e akuzon se ka pasur lidhje jashtë martesore me një ish-gjyqtar të Gjykatës së Tiranës, me inicialet A.M. Më tej, Arnisa ka dëshmuar se bashkëshorti i saj Klejdi Këllici, e kërcënoi, pasi kishte biseduar me një mikun e tij, Gert Brojka, që jeton në Itali dhe i ka thënë se duhet të bëjë analizat e AND-së për fëmijët pasi dyshon se fëmija i vogël, nuk është i tiji. Gjyqtarja më tej shton se bashkëshorti e ka quajtur të përdalë dhe se e ka kërcënuar se do ta vrasë.
Pas kallëzimit të saj oficerët e policisë, i kanë bërë Arnisa Këlliçit një kqyrje të jashtme, por nuk janë vërejtur lëndime. Po ashtu, thuhet se ajo kishte insekunar në shtëpi skenën, se burri i saj Klejd Këlliçi, ka tentuar ta vrasë me thikë, por rezultoi kallëzim i rremë. Bashkëshorti i saj, pretendoi se ajo e kishte vendosur vetë thikën, dhe pasi të dy kishin pretendime për thikën, ata janë shoqëruar të dy në komisariat. Policia në lidhje me thikën e sekuestruar në banesën e çiftit Këlliçi ka kërkuar ekspertimin teknik. Pasi ka përfunduar dëshminë e saj deri në orët e vona të natës së 28 gushtit, gjyqtarja është larguar nga ambjentet e komisariatit Nr.3 në drejtim të shtëpisë. Por, po mëngjesin e së njëjtës ditë në orën 09:00, Arnisa Këlliçi është paraqitur sërish në komisariat duke thënë se ajo nuk ka gjetur fëmijët në shtëpi. Më pas, policia ka telefonuar Klejdi Këlliçin, ku ky i fundit ka thënë se fëmija po flinte në shtëpinë e tezes dhë do të dërgohet menjëherë në shtëpi, por mamaja e tij, Arnisa Këlliçi, nuk ishte në dijeni për këtë. Pasi ajo ka mësuar se ku ndodhet fëmija i saj, ajo nuk ka bërë një kallëzim të dytë ndaj burrit të saj dhe ka kërkuar që ky rast për marrjen e fëmijës mos të ndiqet më tej.