
TIRANË- Shtatë persona, tre prej të cilëve ishin punonjës të OSHEE janë arrestuar pasi kishin ngritur “shtëpi bari” në një ndërtesë shtetërore në zonën e Selitës në Tiranë. Në prangat e policisë kanë rënë Erlind Tresa, 28 vjeç, Reshit Tresa, 57 vjeç, Asqeri Likaj, 59 vjeç, Elvis Lala, 26 vjeç, Ervis Pashollari, 40 vjeç, Elton Cenaliu 47 vjeç, dhe Gëzim Gjonpali, 59 vjeç. Ndërsa është shpallur në kërkim një person i identifikuar si Saimir Karaj që rezulton të jetë ‘truri’ i këtij aktiviteti të paligjshëm. Një 39-vjeçare është proceduar penalisht për moskallëzim krimi. Punonjësit e OSHEE-së akuzohen se nuk kanë lajmëruar policinë për lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në magazinë, zonë që ata kishin në monitorim. Operacioni u zhvillua në rrugën “Hamdi Pepa” në Selitë, pasi ish-deputeti Halit Valteri, lajmëroi drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda se kati i dytë i një magazine që ishte pronë shtetërore, ishte kthyer në një shtëpi bari. Valteri, i cili është punësuar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, kishte shkuar për inspektim në godinat e kësaj zone. Pas njoftimit, Proda ka dërguar në vendngjarje komisariatin nr. 2 ku më pas zbuluan se në katin e dytë të kësaj godine që ishte ndërtuar gjatë kohës së regjimit komunist, kultivoheshin lëndë narkotike.