
TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka çuar për gjykim dosjen e të penduarit të drejtësisë Amarildo Nikolli alias Xhanej. Nikolli akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe dyshohet se qëndron pas atentatit të dështuar ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajt. Sipas SPAK, eleminimi i dy personazheve të njohur në Vlorë, do të bëhej për hakmarrje, dhe për dominimin e tregut të lojërave të fatit. Nikolli ishte pjesë e grupit kriminal të Leonard Luzit, i cili sipas SPAK është financuar nga një person ende i paidentifikuar për të kryer vrasjen e Ervis Matodashajt dhe Inez Hajrullës. Për këtë qëllim, Leonard Luzi ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit janë Amarildo Nikolli, që do të ishte ekzekutori ndërsa Muharem Koroveshi e Erio Zejno do të kishin rolin e ndihmësit. Koroveshi dhe Zejno kanë sjellë armët në banesën e Nikollit në Vlorë dhe kanë ndihmuar në terren me gjetjen e objektivëve të atentatit, si dhe do të ndihmonin ekzekutorin Amarildo Nikolli, në largimin nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së vrasjes. Por plani dështoi, pasi Nikolli, i njohur me nofkën “shkodrani” u arrestua në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Ai kishte tërhequr vëmendjen e uniformave blu të qytetit, pasi në një ditë të nxehtë gushti, qarkullonte nëpër Vlorë i veshur me një xhup për të fshehur tatuazhet që kishte në trup. Por metoda që zgjodhi për të mos u identifikuar nga kamerat e sigurisë në zonë, e evidentoi tek efektivët e Policisë që ndërhynë në kohë për të ndalur atentatin.