
TIRANË- 64 persona janë vënë në pranga pasi akuzohen si pjesë e një grupi të angazhuar në shitjen e lëndëve narkotike. Operacioni u zhvillua nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet finlandeze, destinacioni final ku përfundonte droga dhe shitej në treg të hapur. Në konferencën për mediat, vetë kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bëri me dije se në Shqipëri janë prerë 11 fletë arresti, por janë vënë në pranga vetëm 9 prej tyre. Dy të tjerët janë shpallur në kërkim. Ndërsa në Finlandë janë arrestuar 55 persona, mes tyre 10 shqiptarë.
Ndërkohë që identitetet e tyre nuk dihen, është zbuluar se dy prej drejtuesve janë me orgjinë nga Vlora, ndërsa 2 të tjerët nga Berati e Kuçova, me banim në Tiranë. Nga Shqipëria, ata drejtonin grupin dhe koordinoheshin me të gjithë anëtarët e tjerë përmes tre aplikacioneve: Telegram, Signal dhe WhatsApp.
Por për të mos humbur kontaktin me grupin, "kokat", në mënyrë periodike dërgonin nga Shqipëria përfaqësues të tyre që shkonin në bazat e përcaktuara dhe vëzhgonin shitjen e lëndës narkotike. Gjatë aksionit janë sekuestruar rreth 300 kg drogë, konkretisht 170 kg amfetaminë, 10 kg kokainë dhe 100 kg kanabis.
Dy prokurorët e tjerë, Arben Kraja dhe Alfred Shehu zbuluan se kemi të bëjmë në total me 4 grupe kriminale, të gjitha të drejtuara nga shtetas shqiptarë, që kanë precedentë të mëparshëm në Finlandë. Një nga zyrtarët finlandezë që mori pjesë në konferencë shtoi se anëtarët e grupit në dukje ishin "persona të thjeshtë", madje kishin edhe punë normale në Finlandë, por paralelisht merreshin edhe me tregtinë e drogës.
Në Shqipëri, një nga personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal, rezulton se punon edhe si mësues historie.
Por nga sigurohej lënda narkotike?
Burimi i drogës ishin Spanja dhe Holanda. Një nga rrugët ka qenë transportimi nga Holanda në Finlandë duke përdorur një kamion me targa polake dhe një shofer polak. Një tjetër rrugë ishte trafikimi nga Spanja përmes shërbimit postar, që po ashtu u kishte rezultuar mjaft efektiv. Pasi droga arrinte në destinacion, grupi tjetër, i drejtuar po nga shqiptarë, merrej me shpërndarjen brenda territorit të Finlandës.
Nga aksioni në Shqipëri, prokurorët e SPAK njoftuan se sekuestruan 8 automjete, celularë dhe dokumente. Një pjesë konsiderohen me vlerë për hetimin pasi janë në gjuhën finlandeze dhe ka të dhëna me aktivitetin kriminal të personave që janë pjesë e grupit. Po ashtu, lajmërojnë se ndaj personave të prangosur do të vijohet edhe hetimi pasuror. Kjo pasi paratë që fitoheshin nga shitja e drogës, silleshin në Shqipëri përmes "Moneygram" dhe investoheshin në pasuri të paluajtshme.
#zeri #zeriai #zerinews #zerivideos #zerishqip #zerialbania #finalnde #grupkriminal #spak