
TIRANË- Katër persona janë vënë në pranga pasi u është zbuluar një arsenal armësh, fishekë, uniforma policie, maskë plastike me paruke si dhe 4000 fidanë kanabisi. Të arrestuarit janë identifikuar si Boran Buzi, 48 vjeç, banues në Kallëm, Fier, i dënuar më parë në Itali me 30 vite burg për shfrytëzim prostitucioni; Niko Osma, 53 vjeç, me banim në Durrës, Qamil Shurdhi, 48 vjeç, nga Lushnja dhe Besim Buzi, 33 vjeç nga Divjaka.
Ata konsiderohen persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe akuzohen se trafikonin armë dhe municione të kalibrave të ndryshëm, disa prej tyre edhe nga Kosova, për t’i shitur më pas në Shqipëri. Por po ashtu, merreshin dhe me kultivim dhe shitje të kanabisit. Policia njofton se maskat e silikonit dhe armët do të dërgohen për ekspertizë, për të mësuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale.