TIRANË- Zhurma prodhoi efekt! Me 22 amendamente të dorëzuara në Kuvend, Partia Socialiste propozon heqjen e termave “gjini gjithëpërfshirëse”, “diversitet gjinor”, “identitet gjinor” e “shprehje gjinore”. Në vend të tyre, ligji i ri për barazinë gjinore do të zbatojë vetëm dy kategori gjinore: burrë dhe grua.
Çfarë përmbante versioni fillestar i draftit?
Në versionin fillestar të projektligjit, përkufizimi i gjinive ishte i kufizuar në dy kategori: burrë dhe grua. Megjithatë, pas reagimeve nga Aleanca LGBT dhe aktorë të tjerë, drafti u ndryshua për të përfshirë një përkufizim më gjithëpërfshirës të gjinive, duke njohur identitete të tjera gjinore përtej dy kategorive tradicionale.
Ç’ndryshon sot me amendamentet e PS-së?
Amendamentet e dorëzuara në Komisionit për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale përfshijnë ndryshime në disa nene kyçe të projektligjit. Disa prej tyre janë:
Në nenin 1, pika 2 të projektligjit, sugjerohet që termi “përkatësi gjinore” të zëvendësohet me tremin “grua-burrë”.
Në nenin 2, në shkronjën “a”, “përkatësi e shumëfishtë” të hiqet.
Në nenin 3, pika 6 sugjerohet të hiqet termi “përkatësi gjinore”.
Në nenin 4, ku përfshihen dhe përkufizimet për këtë projektligj, propozohet të ndryshohet pika c, ku të zëvendësohet pjesa “nga secila gjini” me fjalët “mes gruas dhe burrit”.
Në nenin 5 të projektligjit sugjerohen që pika 1 fjalët “orientimit seksual, identitetit gjinor, shprehjes së identitetit gjinor ose karakteristikave të seksit,” të hiqen.
Neni 24 i projektligjit, i cili trajton përfaqësimin gjinor në pozicionet drejtuese dhe vendimmarrëse, mbetet një nga pikat kyçe të ndryshimeve të propozuara.
Në draftin fillestar, parashikohej përfshirja e “kritereve të gjithëpërfshirjes dhe diversitetit gjinor” në proceset e konkurrimit dhe emërimeve, ndërsa tani është propozuar heqja e termit “gjithëpërfshirës”, duke lënë vetëm dy gjini.
Nenet 41, 42 dhe 43 të projektligjit për barazinë gjinore synojnë integrimin e dy gjinive në sektorë të ndryshëm të shoqërisë, si në transport, infrastrukturë, energji dhe mjedis.
Këto tri nene synojnë të sigurojnë që politikat dhe praktikat në këto fusha të jenë të barabarta dhe të ndjeshme ndaj nevojave dhe interesave të grave dhe burrave, duke kontribuar në një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë.
Rezultati?
Draft‑ligji i ri për barazinë gjinore përqendrohet në barazinë mes grave dhe burrave, por nuk përfshin dhe nuk lejon garantimin ligjor të identiteteve gjinore të tjera. Kjo, thonë hartuesit, bën që ligji të jetë më i kuptueshëm, më i zbatueshëm dhe të shmangë keqinterpretimet.
Projektligji është depozituar në Kuvend dhe tani, së bashku me ndryshimet e propozuara nga Partia Socialiste, do të shqyrtohet në komisionet parlamentare dhe më pas do të kalojë për votim në seancën e fundit plenare të këtij muaji, me 30 tetor. /ZËRI