Video

Shqipëria në 1 javë/ Nga shtrimi i Fatos Nanos te raporti i OSBE për zgjedhjet

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, kërkoi që Kolegji Zgjedhor të jetë instanca që merret me hetimet zgjedhore, por mund të jetë Gjykata e Apelit apo Gjykata e Lartë.

Loreta Koleci
Shqipëria në 1 javë/ Nga shtrimi i Fatos Nanos te raporti i OSBE
Sali Berisha, Edi Rama, Fatos Nano

TIRANË- Java nisi me një lajm të trishtë për politikën shqiptare. Ish-kryeministri Fatos Nano ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore pas një arresti kardiorespirator, ndërsa prej më shumë se një jave është i shtruar në spital.

Në Tiranë u zhvillua konferenca “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias”, me pjesëmarrjen e deputetëve, ministrave dhe përfaqësuesve të institucioneve shtetërore. Diskutimet u përqendruan në reformën në drejtësi, reformën zgjedhore dhe drejtësinë kushtetuese. Kryeministri Edi Rama vlerësoi rolin e Komisionit të Venecias në reformat kryesore të vendit.

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, kërkoi që Kolegji Zgjedhor të mos jetë instanca që merret me hetimet zgjedhore, por kjo vendimmarrje ti kalojë Gjykatës së Apelit apo Gjykatës së Lartë.

Në Londër u mbajt Samiti i Berlinit për Ballkanin Perëndimor, ku Shqipëria u përfaqësua nga kryeministri Rama. Ai u takua me Mbretin Charles III, kryeministrin britanik Starmer dhe kancelarin gjerman Merz, duke theksuar se Shqipëria është pjesë aktive në nismat për bashkëpunim rajonal dhe integrim europian. Nga samiti u vendos që Britania të mbyllë rrugën me Ballkanin Perendimor, duke sanksionuar bandat e emigrimit të paligjshëm të Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Këtë javë, OSBE-ODIHR publikoi raportin përfundimtar për zgjedhjet e 11 majit, ku u vlerësua se procesi ishte konkurrues, por i zhvilluar në një mjedis të polarizuar politikisht dhe me kushte të pabarabarta. Raporti thekson menaxhimin e mirë të votimit nga jashtë, por edhe presionet ndaj votuesve publikë.

Përpos vlerësimeve pozitive u raportuan raste frikësimi dhe nxitjeje të votuesve dhe përfshirje e administrates publike në zgjedhje.

Menjëherë pas publikimit të raportit, Sali Berisha e cilësoi atë si “provë të farsës elektorale”, ndërsa Celibashi e quajti “pasqyrë të plotë të procesit” dhe kërkoi finalizimin e reformës zgjedhore brenda një viti.

Rama zhvilloi gjithashtu një takim me kryebashkiakët për “Paketën e Maleve”, ku kritikoi kryebashkiakun e Kuçovës, Shkodrës dhe Kukësit. Ai kërkoi dorëzimin e hartave të investimeve lokale që nuk janë dorëzuar ende nga drejtuesit lokalë.

Ndërkohë, PS dhe PD arritën dakordësi për përbërjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Pjesë e tij do të jenë partia e Tom Doshit dhe ajo e Agron Shehajt me të drejtë vote, ndërsa partitë e Arlind Qorit dhe Adriatik Lapajt do të kenë vetëm të drejtë propozimi.

Të shtunën, Rama mori pjesë në forumin ndërkombëtar “Berlin Global Dialogue”, së bashku me ministren Diella, e cila deklaroi se planifikon të “revolucionarizojë qeverinë” përmes ekipeve të trajnuara kundër krizave dhe korrupsionit.

Në fund të javës, sipas burimeve jozyrtare në media u njoftua se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është thirrur në SPAK. Lidhur me këtë pretendime Rama deklaroi se “drejtësia ka punën e vet” dhe se “deri në një vendim përfundimtar, të gjithë janë të pafajshëm”.


Ndërkohë që SPAK nuk ka dhënë ende asnjë njoftim zyrtar mbi këtë çështje. /ZËRI

Poll

MOS HUMB