
TIRANË- Sot, pas 13 vitesh në politikë, Ervin Salianjit i rrezikohet mandati i deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me 1 vit burg, pasi sipas trupës gjykuese deputeti është fajtor për “kallëzim të rremë”.
Gjithçka filloi kur studenti i sapodiplomuar u zgjodh në 2011 nga asokohe kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha si avokati i qytetit. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, Salianji merr mandatin e tij të parë si deputet i Kuvendit për qarkun e Korçës. 2 vite më pas, Ervin Salianji ishte një nga 7 kandidatët e zyrtarizuar në garë për kryetarin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Për të hyrë në këtë garë, të cilën nuk e fitoi, Salianji u dorëhoq nga funksionet që mbante në Partinë Demokratike.
Pas zgjedhjeve në FRPD, Basha i besoi një prej posteve kryesore në PD, atë të sekretarit për aksionin qytetar. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 fitoi gjithashtu mandatin e deputetit; për t’u rikthyer në vitin 2021 me Edmond Spahon. Të dy së bashku, si drejtues politikë të qarkut, mblodhën për Partinë Demokratike rreth 50 mijë vota. Në zgjedhjet lokale, të mbajtura në vitin 2023, Salianji doli për herë të parë nga qarku i Korçës. Ai u caktua si drejtues politik i fushatës zgjedhore për Bashkinë e Kavajës, një nga bashkitë e vetme që u fituan nga Opozita.
Denoncimi i bujshëm që u bë nga selia e Partisë Demokratike për të ashtuquajturën dosja “Babale”, ishte çështja e tij. Në 14 maj të vitit 2018, PD botoi 2 audio-regjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm asokohe, Fatmir Xhafaj, Agroni (Geron) Xhafaj ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. E tërë çështja u emërua “Babale”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, Albert Veliu, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin “Babale”.
Më pas, Fredi Alizoti pranoi para prokurorëve se ishte zëri i tij, ai në audiopërgjimin e bërë publik nga PD në muajin Maj të 2018 dhe se kishin imituar Agron Xhafajn pasi Salianji i kishte premtuar 200 mijë euro. Më pas, Salianji publikoi një video tjetër, në të cilën Fredi Alizoti pranonte se ishte shantazhuar dhe joshur me para nga drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu për të pranuar se ishte ai personi që fliste në audio-përgjim.
Ekspertët e huaj vlerësuan se zëri në përgjime ishte i ngjashëm me atë të Geron Xhafës, por nuk arritën dot të dilnin në një përfundim për shkak të cilësisë së audio-regjistrimit. Kështu që në datë 6 mars të viti 2019, Prokuroria mori të pandehur ish-deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji për dosjen ‘Babale’ duke i ngritur akuzën për kallëzim të rremë.
Sa i përket deklaratave politike, Salianji ishte një nga deputetët “asnjëanës” gjatë kohës së përplasjeve mes grupeve të Partisë Demokratike. I cilësuar gjithnjë si një nga “njerëzit e Bashës”, Salianji doli kundër të dy liderëve të PD-së, si kundër Bashës edhe Berishës. Demokrati nuk e kurseu ironinë për “ngrijen” që Basha i bëri vetes si kryedemokrat, por po ashtu vlerësoi se për opozitën më të rëndësishme janë lidhjet me SHBA-së, sesa me Sali Berishën.
Vendimin final duket se e mori në ditën e fundit të vitit 2022, kur Ervin Salianji bëri një shfaqje surprizë në selinë e PD-së, ku nuk shkelte prej dy vitesh, që kur aty u vendos Sali Berisha. Përgjatë gjithë vitit 2023, Salianji ishte një nga personazhët kryesore të aksionit opozitar në Kuvend. Për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, Salianji ishte caktuar si drejtues politik në Elbasan, qark që tashmë duhet të gjëjë një “numër një” të ri.