
TIRANË- Vjeshta pritet të sjellë ulje të çmimeve të apartamenteve. Vendosja e rregullave të reja nga Banka e Shqipërisë do të ndikojë drejtpërdrejt në çmim. Sipas rregullores së re të Bankës së Shqipërisë, asnjë nga bankat e nivelit të dytë nuk do të financojë më 100% për blerjen e një prone. Kreditimi deri në masën 70 apo 80% do të sjellë pamundësi të blerjes së banesave kryesisht për ata që nuk kanë një pronë dhe nuk kanë kursime që variojnë nga 30-40 mijë euro. Kjo do të sjellë një ulje të kërkesës që do të ndikojë në çmime. Në shtator me konstituimin e Parlamentit të ri, do të miratohet edhe akti ku do të rivlerësohet prona me penalitet 3%.
Kjo do të ulë me minimalisht 10% çmimin e apartamenteve të hipotekuara që do të dalin me shitje. Një tjetër arsye është edhe ngopja e tregut dhe rritja e ofertës. Gjatë viteve të fundit janë ndërtuar dhe dorëzuar shumë pallate njëkohësisht. Në vjeshtë pritet të përfundojnë disa projekte të mëdha që do hedhin shumë apartamente të reja në treg. Kjo rrit ofertën dhe ul presionin mbi çmimet. Rënia e kërkesës sezonale dhe emigracioni do të sjellë gjithashtu një rënie të çmimeve. Verës ka më shumë blerës pasi emigrantët kthehen për pushime dhe studiojnë mundësinë për të investuar, por pas gushtit kërkesa bie natyrshëm. Shumë familje ose presin, ose shpenzojnë kursimet për shkollat e fëmijëve apo gjëra të tjera.