TIRANË- Ambasada shqiptare në Kiev është dëmtuar, si pasojë e sulmeve ruse në Ukrainë. Nga sulmi rus është goditur infrastruktura në Rajonin e Goloseevit, ku gjenden 6 ambasada, në mesin e të cilave, edhe ajo shqiptare. Nga ky sulm ka pasur vetëm dëme materiale dhe asnjë nga anëtarët e personelit nuk është lënduar. Përmes deklaratës së saj, Ministria e Jashtme bëri me dije se e dënon këtë sulm të paprovokuar, të cilin e konsideron edhe si një sulm ndaj themeleve të diplomacisë ndërkombëtare.
Pas sulmit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka thirrur edhe ambasadorin rus në Tiranë, Zaitsev Alexey Anatolyevich, të cilit i ka kërkuar shpjegime për ngjarjen si dhe i ka shprehur protestën e qeverisë shqiptare ndaj këtij akti.
Kjo ngjarje ka sjellë dhe reagime. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Matthew Miller në një postim në rrjetin e tij social ‘X’ shprehet se SHBA dënon sulmin me raketa të Rusisë ndaj Kievit që vrau një civil dhe dëmtoi ambasadën e Shqipërisë në Ukrainë. Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko flet për një mesazh të koduar. Në një postim, Majko shkruan se politika ruse si rregull nuk bën asgjë gabimisht dhe se ky është një mesazh për çmimin që duhet të paguajë Shqipëria për mbështetjen që i ka ofruar Ukrainës.