
KORÇË- Gjykata e Korçës ka lënë në burg autorin e vrasjes së Egli Progës, Denis Meçen, ndërsa ka caktuar detyrim paraqitje për tre personat e tjerë të cilët akuzohen për “moskallëzim krimi”. Për autorin e vrasjes së babait të dy fëmijëve, Prokuroria e Korçës ka ngritur akuzën e vrasjes nga pakujdesia, edhe pse është zbuluar se Denis Meçe dhunoi barbarisht Egli Progën për shkak se nuk kishte pranuar që t'i paguante një "gjobë". Pas vendimit, jashtë ambienteve të gjykatës, e motra e 42-vjeçarit, Jonida ka folur për mediat duke e cilësuar atë që ndodhi në gjyq si një vrasje të dytë të të vëllait, ndërsa theksoi se bëhet fjalë për një krim në bashkëpunim mes bandash kriminale. Edhe babai i viktimës ngre shqetësimin se krimi mund të jetë kryer në atë lokal dhe se ende nuk dihet kush e nxori Egliun jashtë nga aty.
Një prej dëshmitarëve në vendin e ngjarjes ka treguar se para sherrit, të dy ata kanë qenë në një lokal, Egli i ulur në një tavolinë brenda, dhe Denisi në një tavolinë në pjesën e jashtme. Gjithçka ka filluar, kur Meçe i ka kërkuar disa herë Progës që “t’i dridhte një cigare”. /ZËRI