
TIRANË- ZËRI ka siguruar fotot e Armando Ndrecës, Elvis Ndrecës, Arian dhe Vinçens Tukut, Miri Brulit, Blerim Abazit dhe Elvis Dukës, disa prej të cilëve tashmë janë vënë në pranga në kuadër të mega-operacionit të organizuar nga SPAK. Sipas dosjes së siguruar nga ZËRI, Armando Ndreca është vëllai i deputetit të Partisë Socialiste në Lezhë, Eduard Ndreca, ndërsa Elvis Ndreca është djali i xhaxhait të ligjvënësit. Në përgjime, Armando Ndreca, flet për kultivimin e kanabisit me Arian Tukun, kunatin e ish-deputetit socialist Arben Ndoka dhe Oltion Zefin. Blerim Abazi akuzohet se ka krijuar kushte për të ekzekutuar Durim Bamin. Miri Bruli rezulton se ka ndihmuar Aldo Avdylajn, të futet ilegalisht në Shqipëri nga Mali i Zi me një varkë. Arian Tuku ka tentuar të vrasë Aleks Ndrekën, i njohur si “Leksi i druve”, ndërsa ka siguruar kushtet dhe për vrasjen e të “fortit” të Niklës, Durim Bami. Ndërkohë, Vinçens Tuku, i cili rezulton të ketë punuar dhe si Specialist i lartë në Bashkinë e Lezhës, ka qenë po ashtu i përfshirë në grupin që do të eleminonte Aleks Ndrekën. Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe në atentatin ndaj Agron Pukës. Erlis Duka, është vëllai i Leonard Dukës, armikut të përbetuar të Ervis Martinajt që akuzohet se ka urdhëruar një sërë vrasjesh, përfshirë Santiago Malkon.