TIRANË-Gjyqtarët u mblodhën sot në një mbledhje të jashtëzakonshme, të thirrur nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, me fokus çështjen e pagave në sistemin gjyqësor. Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, hapi mbledhjen dhe në nisje të fjalës së tij, ai e cilësoi një gjendje të jashtëzakonshme, teksa theksoi se kjo nuk është më vetëm një çështje financiare, por prek funksionimin e gjykatave dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Sadushi kërkoi zhbllokimin e menjëhershëm të pagave dhe zbatimin e ligjit nga shtetit. Kreu i Gjykatës së Lartë tha se gjyqësori nuk po negocion shumën e pagës, duke theksuar se vendimi i Kushtetueses duhet të zbatohet. Pas mbledhjes së përgjithshme, gjyqtarët kërkojnë zhbllokim të menjëhershëm të pagave ose në të kundërt do të reduktojnë proceset gjyqësore. Ndërkohë, prej 3 ditësh, situata ka sjellë ndërpreje të shërbimeve në Gjykatën e Tiranës, ndërsa bojkoti është shtrirë edhe në disa gjykata të tjera të vendit. Kriza e pagave në sistemin e drejtësisë nisi pasi Kuvendi nuk miratoi deri më 31 korrik formulën e re të pagave, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Në këto kushte, KLGJ dhe KLP caktuan vetë pagat, por Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat me këtë përllogaritje, duke argumentuar se përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendit.
/ZËRI