TIRANË- Një shpërthim i fuqishëm u regjistrua mëngjesin e kësaj të mërkure në pikën e karburantit “Eida”, në zonën e Brrylit në Tiranë. Si pasojë e shpërthimit mbetën të plagosur tre punonjës të karburantit, të cilët u transportuan menjëherë në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Shpërthimi shkaktoi gjithashtu dëme materiale, duke shembur një ambient që shërbente si zyrë e karburantit. Për shkaqet e ngjarjes janë ngritur disa pista. Fillimisht, Policia dyshoi se kishte shpërthyer një bombol gazi në momentin që një automjet po furnizohej. Ndërkohë, zjarrfikësit dhe Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial kanë ngritur dyshime të tjera, duke përfshirë mundësinë që zjarri të ketë nisur në zyrat e karburantit ose nga një automjet brenda territorit të stacionit. Në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar administratori, menaxheri i pikës, drejtuesi teknik, ndërsa janë marrë në pyetje edhe punonjësit dhe drejtuesi i automjetit që po furnizohej me gaz. Ndërkohë po verifikohen dhe dokumentacionet e pikës së karburantit sa i takon aktivitetit, kontrolleve dhe lejeve përkatëse sipas ligjit.
/ZËRI