
TIRANË- Një filmi horror i ngjan vrasja e Ilaria Sulës, studentes shqiptare e cila u gjet e pa jetë brenda një valixheje në një zonë të pyllëzuar në Poli, Itali. E reja shqiptare u masakrua me thikë për vdekje nga i dashuri i saj, 23-vjeçari Mark Samson, i cili akuzohet për vrasje me dashje dhe fshehje të kufomës. Prej një jave nuk kishte asnjë lajm për Ilaria Sulën, 22-vjeçaren shqiptare, e cila ishte studente në Fakultetin e Statistikave në Universitetin Sapienza. Celulari i saj ishte i fikur dhe kjo ngriti alarmin tek familjarët e miqtë për gjetjen e saj.
Nisur nga e shtuna e datës 29 mars, Ilaria nuk i përgjigjej më askujt, ndaj edhe shoqet e dhomës dhe familja kërkuan ndihmë nga Policia. Ajo kishte shkëmbyer disa mesazhe në Whatsapp me to, por në fakt në biseda nuk ishte Sula ajo që përgjigjej, por autori që i kishte marrë jetën. Pas një jave kërkimesh, 22-vjeçarja fatkeqësisht u gjet e vdekur. Tabulatet dhe qelizat telefonike që tregonin vendndodhjen e një personi kur bën një telefonatë, ishin në mesin e elementëve që zunë në kurth ish-të dashurin e studentes. Përmes analizimit të tyre, hetuesit arritën të zbulonin se në ditët pas zhdukjes së vajzës, 23-vjeçari filipinas kishte vazhduar të përdorte telefonin e saj dhe bënte postime nga profilet e Ilarias në mediat sociale për të fshirë dyshimet. Pas marrjes në pyetje Mark Antony Samson, një student 23-vjeçar me origjinë nga Filipinet, ai pranoi krimin, duke thënë se Ilaria kishte shkuar në shtëpinë e tij pasi ishte larguar nga apartamenti ku qëndronte me shoqet. Në inat e sipër, ai e kishte goditur disa herë me thikë, duke i marrë jetën.
Pas kësaj, ai kishte futur trupin e saj në valixhe dhe me makinën e tij ishte drejtuar për në zonën pyjore të Polit, jashtë Romës dhe aty e kishte hedhur. Autori 23-vjeçar nuk ka treguar më shumë detaje rreth krimit dhe a ka patur bashkëpunëtorë për të fshehur kufomën e 22-vjeçares shqiptare. Dyshimet bien mbi prindërit e tij pasi ndodheshin në shtëpi në momentin që ndodhi krimi. A janë ata bashkëpunëtorë? Përgjigjet në këtë pikë, pritet t’i japë analiza e kamerave të sigurisë në lagjen ku jetonte i riu bashkë me prindërit.