
TIRANË- Marjus Lulaj alias Suel Çela është në arrati, por në dosjen e fundit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) rezulton se menaxhonte mjaft mirë marrëdhëniet me drejtësinë dhe Policinë e Shtetit. Por, po të kthehemi pas në kohë, në vitin 2017, Suel Çela u gjend përpara një situate jo të parashikuar. Mbrëmjen e 18 shtatorit të vitit 2017, Policia e Elbasanit doli në rrugë dhe nisi aksionin për verifikimin e të gjitha mjeteve luksoze dhe mjeteve me xhama të zinj me qëllim kapjen e personave me precedent penalë apo që lëvizin të armatosur. ‘Lapsi’ i kontrollit kapi dhe “Range Rover”-in luksoz me targa “AA 040 OJ” me vlerë 100.000 euro, në të cilin po udhëtonin dy anëtarët e grupit të Suel Çelës, Ledio Zhabeli dhe Kelmend Xhaferri. Në momentin që efektivët po bënin kontrollin e dokumentave të nevojshme të automjetit dhe kërkuan të shoqëronin Zhabelin dhe Xhaferrin për verifikim në komisariat, u shfaq vetë Suel Çela. Ai po udhëtonte me mjetin tip “Audi” dhe me shpejtësi ‘skëterrë’ goditi makinën e Policisë së Shtetit me qëllimin e vetëm për të çorientuar situatën e efektivëve të grupit “Shqiponja” dhe për të shpëtuar dy ‘djemtë’ e tij. E për të arritur këtë synim, ai nuk mori parasysh as rrezikun që iu kanos jetës së policëve! Madje nuk i shpëtoi as anëtarët e grupit, pasi si Ledio Zhabeli edhe Kelmend Xhaferri u vunë në pranga pasi në banesën e tyre u gjet dhe sekuestrua një sasi kanabisi dhe armë pa leje. Në pranga u vu dhe roja i Tregut Ushqimor, i cili nuk iu bind urdhrit të Policisë për të hapur derën ku u fut mjeti “Audi”, pasi përplasi automjetin e efektivëve. Enea Bekteshi ishte personi i tretë që u vu në pranga pasi u raportua se ishte ai që e drejtonte mjetin “Audi”, por hetimet e mëtejshme dolën në përfundimin se në drejtimin e mjetit kishte qenë vetë Suel Çela.