
TIRANË- Për tetë orë me rradhë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është marrë në pyetje nga prokurorët e posaçëm të SPAK lidhur me dosjen e inceneratorit të Tiranës. Veliaj mbërriti në orën 09:00 në dyert e SPAK ku u prit nga një grup qytetarësh që e quajtën në kor “hajdut”. Në krye të qytetarëve, qëndronte Klevis Balliu, të cilit Veliaj teksa futej në prokurori, i përmendi makinën e shtrenjtë që e kishte parkuar përpara SPAK, si dhe u gjobit për këtë fakt. Pas daljes nga SPAK kryebashkiaku Veliaj u shpreh se ky ishte takim i kërkuar nga vetë ai dhe se nuk mund të japë më shumë detaje për shkak të sekretit hetimor. Ai falenderoi prokurorët të cilët i konsideroi "kolegë” duke shtuar se është marrë në pyetje si bashkëpunëtor. Veliaj u shpreh se pas marrjes në pyetje ndjehet më i lehtësuar, duke theksuar se e njëjta gjë duhet të jetë edhe për armiqtë e tij. Për Veliajn kjo është hera e parë që merret në pyetje nga SPAK. Ka qenë prokurori Dritan Prençi ai që ka kërkuar marrjen në pyetje të tij. Për inceneratorin e Tiranës ndodhen në burg Alqi Bllako, Taulant Tusha, Namik Simirxhiu, Bledar Karoli dhe Lefter Koka. Ndërsa në 'arrest shtëpie' janë 7 të tjerë. Në kërkim janë biznesmenët pronar të "Integrated Energy”, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.