TIRANË- Lefter Alla ka renditur sakrificat që sipas tij është detyruar të bëjë për të mbajtur karrigen si kryebashkiak i Bulqizës. Gjatë seancës së mbajtur sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Alla është shprehur se ka hequr dorë nga biznesi dhe ka lënë pas dore familjen vetëm për t’i shërbyer popullit. Ai hodhi akuza edhe ndaj prokurores së çështjes, kur shtoi se nuk e ka marrë në pyetje.
“Jam i pafajshëm. Kam shërbyer me ndershmëri dhe përkushtim. Lashë biznesin tim per t’i shërbyer popullit. Kam marrë nga pjesa e familjes time për t’ja vëne enë dispozicion popullit. Shiheni me kujdes këtë punë se as prokurorja s’më ka marrë në pyetje,”- është shprehur ai.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar 3 vite e 6 muaj burg për Allën, i cili akuzohet se ka ndërhyrë në një tender. Por Alla përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe do t'i ulet 1/3 e dënimit. Ndaj si përfundim, dënimi i tij do të jetë 2.4 vite.
Pretenca është dhënë edhe për bashkëpunëtorët e tij (të cilët gjithashtu përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar). Lefter Alla dhe zyrtarë të Bashkisë së Bulqizës akuzohen se kanë kryer veprime të paligjshme në dhënien e një tenderi me vlerë 3 milionë euro për ndërtimin e një Ujësjellësi në qytetin e Bulqizës. Tenderi i bashkisë drejtuar nga Alla, u fitua nga një kompani "BOE England", e cila mendohet se u favorizua gjatë procedurës. Por punimet, u kryen nga një tjetër kompani, "OE 2AF Albania shpk", lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë.