
TIRANË- Arrestimi i liderit historik të demokratëve, ish-president, ish-kryeministër dhe kryetar i Partisë Demokratike, një nga ngjarjet më të bujshme të tranzicionit postkomunist, është vetëm disa orë larg. Kuvendi votoi për heqjen e imunitetit dhe tashmë SPAK e ka rrugën të hapur për ta çuar Berishën para drejtësisë, për të dhënë llogari në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij për dosjen e ish-klubit “Partizani”.
ZËRI ka publikuar dhe një dokumentar në lidhje me këtë aferë, ku zbërthehet mjaft qartë mekanizmi se si një tokë shtetërore përfundoi në duart e një rrjeti ndërtuesish, falë shkeljeve që sot janë të shkruara e zeza në të bardhë.
Vetë Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe se ka shfrytëzuar pozitën e tij si Kryeministër asokohe, për t’i dhënë një sipërfaqe të konsiderueshme toke dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, i cili e ktheu atë në një kompleks banimi me 17 kulla, duke marrë më shumë se 5 milionë euro nga investimi në këtë truall. Malltezi u vu në pranga në datën 21 Tetor dhe më pas u lirua. Betejën e tij ligjore ai tashmë po e vijon nga shtëpia ku është ‘kyçur’ me urdhër të SPAK, ku pritet t’i bashkohet dhe vjehrri i tij.