
TIRANË- Ish-kryeministri, lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha është drejt arrestimit. Në seancën e sotme në Kuvend, në pikën e parë të rendit të ditës do të trajtohet autorizimi kundrejt Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) që do t’i hapë rrugën arrestimit të Berishës.
Në orën 10:00, deputetët demokratë janë mbledhur bashkë më mbështetësit e tyre para Kuvendit për të protestuar nën moton “O sot o kurrë”. Por, socialistët u kanë paraprirë skenareve dhe janë futur në sallë dy orë më herët se zakonisht.
Policia e Shtetit është gjithashtu në këmbë! 800 efektivë policie kanë dalë në terren për të monitoruar protestën. Brenda në Kuvend ka gjithashtu lëvizje. Deputeti Flamur Noka ka bërë pirg karriget në sallë, ndërkohë që bashkë me kolegen e tij, Albana Vokshi janë parë teksa përplasen me gardistët.
Dita e sotme është vendimtare jo për fatin e Sali Berishës por për të ardhmen e opozitës. Arrestimi i Berishës dobëson edhe më Partinë Demokratike, duke e rrezikuar njëherë e mirë si alternativë politike, gjithnjë më e përçarë dhe e copëtuar.