
TIRANË- Ervin Muça, ish-drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Tiranës për sulmin e ndodhur në vitin 2022 ndaj sistemit TIMS, gjë që është marrë përsipër nga grupi i identifikuar si Homeland Justice, i cili, sipas qeverisë shqiptare është i financuar nga Irani. Muça, i cili aktualisht ndodhet në arrest shtëpie, akuzohet për kopjimin pa autorizim të të dhënave të sistemit TIMS dhe për 'Hyrje të paautorizuar kompjuterike” në sistemin TIMS që regjistron hyrje-daljet e qytetarëve nga kufijtë e vendit. Organi hetues ka veçuar çështjen dhe po e heton edhe për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Prokuroria e Tiranës thotë se të gjitha veprimet për kopjimin e të dhënave të TIMS, Ervin Muça i ka kryer gjatë orëve të natës, ndërsa ka urdhëruar edhe punonjësit për hapjen e portave USB.
Po ashtu, në godinë janë futur persona të paautorizuar, që nuk kanë qenë pjesë e stafit të Policisë së Shtetit dhe kanë asistuar për procesin e back up. Ky person, sipas prokurorisë, ka përdorur shpeshherë për të hyrë dhe për të dalë nga godina pinin personal të një punonjësi që nuk ka qenë prezent. Në njoftim thuhet se është vërtetuar se pajisja hard disk e sekuestruar ishte lidhur me kompjuterin e identifikuar dhe me serverat e sistemit, duke mundësuar eksportimin e të dhënave në një hard disk. Pas sulmit ndaj sistemit TIMS, kryeministri Edi Rama deklaroi ndërprerjen e marrëdhëneve me Republikën Islamike të Iranit, ndërsa kompania Microsoft që mori pjesë në hetimin e ngjarjes tha se të gjitha zbulimet e saj ishin të lidhura me Iranin.