
TIRANË- Një grua po kërkohet nga Policia e Tiranës, pasi akuzohet se ka tentuar që të rrëmbejë një fëmijë teksa ndodhej në një supermarket. Ngjarja raportohet se ka ndodhur pak ditë më parë në një supermarket të kryeqytetit. Por vendndodhja ende nuk është bërë me dije.
Siç duket edhe nga pamjet e publikuara nga Policia e Shtetit, gruaja shikon fëmijën vetëm dhe i afrohet e më pas e merr në krahë. Por gruaja është pikasur shpejt nga personeli i marketit, edhe pse ishte larguar nga ambientet e brendshme. Pasi ka dalë, punonjësit e marketit kanë ndërhyrë dhe i kanë marrë fëmijën nga krahët.
MOMENTI ME VIDEO:
Hetimet për kapjen e gruas kanë nisur, ndërkohë nuk përjashtohet mundësia që të ketë probleme të shëndetit mendor. Ky version, pohohet edhe në njoftimin e shpërndarë nga Policia e Shtetit.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë
Në lidhje me një video të publikuar në një portal në të cilën shfaqet një shtetase në ambientet e një marketi, e cila merr në krahë një fëmijë të mitur, del nga marketi dhe më pas kthehet sërish, ju informojmë se: Më datë 14.09.2024, është paraqitur në Polici shtetasi E. D., 34 vjeç, i cili ka kallëzuar se në Rrugën e Barrikadave, në një market, një shtetase ende e paidentifikuar, ka marrë në krahë vajzën e tij të mitur 2 vjeçe, ka dalë nga dera e marketit dhe më pas është rikthyer sërish. Shërbimet e Policisë menjëherë kanë shkruar në vendngjarje ku kanë administruar pamjet filmike si dhe kanë pyetur punonjësit e marketit të cilët kanë pohuar se shtetasja në fjalë, gjatë komunikimit ka shfaqur probleme dyshohet të shëndetit mendor. Vijon puna për identifikimin e saj dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes./ZËRI