
TIRANË- Një lajm i mirë vjen për të mijëra qytetarë që u ishin bllokuar llogaritë bankare nga kompanitë “Final” dhe “Micro Credit Albania”. Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, 11 banka të nivelit të dytë në Shqipëri kanë liruar asetet financiare të mijëra qytetarëve, të cilëve u kishin bllokuar paratë nga përmbaruesit privatë.
Vendimi për lirimin e tyre në 11 banka, sipas gazetarit Elton Qyno, i cili shkruan ndër të tjera për "OraNews" mban datën 26 Gusht 2024.
Prokuroria ka urdhëruar menjëherë lirimin të mijëra llogarive bankare, edhe pse nuk ka ende një vendim gjykate lidhur me çështjen e këtyre dy kompanive që nga ana tjetër kërkojnë kthimin e licensës në Gjykatën Administrative të Apelit.
Tani lista e këtyre llogarive bankare do t'i dërgohet Prokurorisë së Tiranës, që më pas do t'ja kalojë për verifikim ADPSK-së. Nëse Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara vlerëson se për një çështje është vepruar drejt nga dy kompanitë, atëherë do të bëhet vetëm ndryshimi i përmbaruesit. Por deri në verifikimin e dosjeve, me qëllimin që mos vazhdojnë pasojat e veprave penale ndaj qytetarëve, fillimisht u është kërkuar në 11 banka të nivelit të dytë heqja e sekuestrove të vendosura nga të gjithë përmbaruesit që tashmë u është hequr licensa.
“...lista emërore e qytetarëve që u është hequr sekuestrim i llogarive bankare, do i dërgohet prokurorisë së Tiranës në mënyrë elektronike në një “Hard Copy” me qëllim që në vazhdim të kryhen verifikimet nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara...”-thuhet në dokumentin e siguruar nga “Ora News”.
Pak muaj më parë, Micro Credit Albania dhe Final, të dyja shoqëritë e mbledhjes së borxheve e kredive të këqija u vendosën nën sekuestro me urdhër të Prokurorisë së Tiranës. Mbi shoqëritë rëndon vepra penale e "mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim” dhe për "pastrim të produkteve të veprës penale". Megjithatë, deri më tani, nga Prokuroria e Tiranës nuk jepen sqarime se paratë e kujt janë "pastruar" përmes kësaj kompanie që tashmë është nën sekuestro. Nga hetimet, Prokuroria ka dalë në përfundimin se MCA dhe Final, duke bashkëpunuar me shoqërinë "ADCA" dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore kanë krijuar një skemë mashtruese për të zhvatur dhjetëra milionë euro nga qytetarët./ZËRI