
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur lirimin nga paraburgimi të ish-shefit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit së Sarandës, Julian Preni. Bashkë me Prenin, u vendos edhe lirimi i ish-punonjësit të Zyrës së Urbanistikës Sarandë, Arjel Balani. Të dy u arrestuan me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në qershor të këtij viti, por GJKKO vendosi lirimin e tyre për shkak se kohëzgjatja e paraburgimit të vuajtur është më e madhe se dënimi.
"Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Etleva Deda dhe Erjon Bani bazuar në nenet 112 dhe 261/1/c të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 525, datë 15.09.2024, vendosi: 1. Pranimin e kërkesës së kërkuesve (të pandehurve) Arjel Balani dhe Julian Preni; 2. Konstatimin e shuarjes së masës së sigurimit personal “arrest në burg” e caktuar ndaj të pandehurit Arjel Balani me vendimin nr.115 Akti datë 25.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shkak se kohëzgjatja e paraburgimit të vuajtur është më e madhe se masa e dënimit të caktuar me vendimin nr.40 dt. 26.06.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar,"-bëhet me dije në vendimin e Gjykatës.
PSE U ARRESTUAN, AKUZA E SPAK
Julian Preni u arrestua për akuzën “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa ish punonjësi i zyrës së urbanistikës Arjel Ballani për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm”. Foti Doda dhe Sofia Doda ishin përballur me një situatë problematike për pajisjen me leje për shfrytëzimin e plazhit në Ksamil ku vite më parë kishin ndërtuar një objekt. Arjel Balani duke qenë punonjës në zyrën e Urbanistikës në bashkinë Sarandë i ka kërkuar Foti Dodës shumën prej 12 mijë eurosh për të ushtruar ndikim të paligjshëm në Agjencinë Kombëtare të Bregdetit në mënyrë që ta pajisnin me leje për shfrytëzimin e plazhit. Në muajin korrik të vitit 2021, Balani iu ka marrë Foti dhe Sofia Dodës shumën prej 6 mijë eurosh, të cilët i bënë të qartë se pjesën tjetër do ia jepnin ku të nxirrej leja. Duke qenë se marrëveshja nuk u bë e mundur, i pandehuri Arjel Balani ua ka kthyer shumën monetare prej 6 mijë eurosh.
Të njëjtët persona, Foti dhe Sofia Doda kanë pasur probleme edhe në lidhje me procedurën e ndjekur për prishjen e një objekti të ndërtuar në Ksamil për të cilin kishin nisur procedurat e legalizimit. Hetimet nxorrën se gjatë inspektimeve të kryera nga IKMT-ja në vitin 2019, subjekti “Foti Doda” është vendosur prishja e këtij objekti. Në muajin mars të vitit 2020, Julian Preni, asokohe kreu i IKMT-së në Sarandë, i ka kërkuar Foti Dodës 7500 euro për të mos i prishur objektin e ndërtuar në plazhin e Ksamilit. Pas negociatave, Foti Doda i ka dhënë Prenit shumën prej 3 mijë eurosh. Pas korrupsionit, objekti ndaj të cilit ishte vendosur shembja në vitin 2019, nuk u shemb. Hetimet kanë zbuluar se shembja e objektit është bërë e mundur vetëm në datën 7 qershor të vitit 2021./ZËRI