
TIRANË- Bashkëshortja e Klodian Zotos, i cili është në kërkim që prej muajit dhjetor 2021 për dosjen e inceneratorëve, është bërë ortake në kompaninë celulare “ONE”. Në dokumentet e publikuara nga Pamfleti rezulton se Ilza Zoto bleu 6.56% aksione me vlerë totale 2000 Euro, duke u bërë ortake me shtetin shqiptar që ka 3% aksione në këtë kompani. Në datën 4 prill 2024, në deklarimin për regjistrimin e Ilza Zotos si ortake e shtuar, pronarët hungarezë të kompanisë “ONE Albania”, kanë deklaruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit e Tatimet, se vlera 2000 Euro e aksioneve që bleu gruaja e Klodian Zotos, është vlerësim faktik sipas gjendjes ekonomike e vlerës së kapitaleve të kompanisë. Kjo vlerë ka ngritur dyshime mbi evazionin fiskal, pasi nuk reflekton gjendjen reale të kapitalit të kompanisë. Ilza Zoto është ortake edhe në kompaninë e ndërtimit “7 D-Sh.p.k”, por dhe tek 4 kompani të tjera, në ortakëri me dhëndrin e Ritvan Bodes e Mirel Mërtirin, ndërsa në Ministrinë e Financave, ajo ka menaxhuar 20 milionë Euro “Program për Konvertimin e Borxhit Shqiptar”. Kompania "ONE Albania" është tashmë e drejtuar nga Gellért Zoltán Jászai, i cili është skeduar për pastrim parash dhe mashtrime financiare.