
TIRANË- Kombëtarja serbe ka mbërritur në Tiranë në kushte të forta sigurie Ekipi i Serbisë është akomoduar në hotelin “Hilton Garden Inn”. Fillimisht, për serbët ishte rezervuar qëndrimi në hotelin brenda stadiumit kombëtar, por në minutën e fundit, federata ka ndryshuar destinacion. Përpos Policisë së Shqipërisë, Serbia do të ketë edhe stafin e vet të sigurisë. Kombëtarja e drejtuar nga Dragan Stojkoviç shoqërohet edhe nga një shef kuzhine, në mënyrë që programi i të ushqyerit të respektohet deri në detajet e fundit. Ky kujdes i veçantë ndaj ushqimit është pjesë e përgatitjeve të ekipit për një ndeshje kyçe që mund të vendosë vendin e dytë në Grupin K, ku Shqipëria dhe Serbia do të luftojnë deri në fund të kualifikueseve. Stërvitja e parë në Shqipëri dhe e fundit në prag të ndeshjes për kombëtaren serbe, është planifikuar në stadiumin “Air Albania” në orën 17:30.
Ndërkohë, në kuadër të planit të masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë për ndeshjen e futbollit Shqipëri–Serbi, janë parashikuar kufizime të përkohshme në qarkullimin rrugor në disa akse kryesore të kryeqytetit. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, rruga nga hoteli ku është akomoduar ekipi i Serbisë (në bulevardin “Gjergj Fishta”) deri në stadiumin “Arena Kombëtare”, përmes bulevardit “Bajram Curri”, do të ketë kufizime të pjesshme në këto orare: Pasditen e sotme, në orën 16:30, gjatë eskortimit të ekipit për në stërvitje. Ditën e nesërme, në orën 18:45, për zhvillimin e ndeshjes. Kufizimet do të jenë të përkohshme, me një kohëzgjatje deri në 25 minuta, vetëm në momentin e lëvizjes së eskortës së ekipit. Policia e Shtetit bëri me dije edhe masat e rrepta që do merren për këtë sfidë, ndërsa do ketë kontrolle të imtësishme për tifozët që do futen në stadium. Afro 2 mijë efektivë do jenë në terren, si edhe do bllokohen rrugët pranë "Arenës Kombëtare'. UEFA ka njoftuar se ndeshjen Shqipëri – Serbi do ta drejtojnë gjyqtarë italian. Gjyqtari kryesor Davide Massa, do të asistohet nga Filippo Meli dhe Ciro Carbone. Gjyqtar I katërt do të jetë Fabio Maresca. Në VAR do të jetë Alesandro Di Paolo dhe asistenti i tij Daniele Doveri. Kombëtarja shqiptare e futbollit luan të shtunën në orën 20:45 kundër Serbisë në "Arenën Kombëtare" të Tiranës, sfidë kjo e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.