TIRANË- Paratë që emigrantët sjellin tek familjet e tyre në Shqipëri po vijojnë të kenë një tendencë rritjeje, duke reflektuar ciklin e ri të emigracionit në vend. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave bënë të ditur se të ardhurat nga emigrantët ishin 817 milionë euro në janar-shtator 2025, me një rritje prej 5.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ritmet e rritjes u përshpejtuan në tremujorin e tretë, që tradicionalisht ka flukse më të larta hyrjeve për shkak se emigrantët vijnë në Shqipëri gjatë pushimeve të verës. Për korrik-shtator 2025, emigrantët sollën tek të afërmit në vendlindje 285 milionë euro, ose 8.8% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Që nga viti 2013, paratë që emigrantët sjellin në Shqipëri janë rritur vazhdimisht, duke reflektuar një cikël të ri emigracioni, që nisi kryesisht pas vitit 2015.
/ZËRI