TIRANË-Babai i Ervis Martinajt, i zhdukur prej 3 vitesh tashmë, ka dëshmuar sot në Gjykatën e Posaçme. Martinaj ka dhënë shpjegimet e tij për pasurinë, aktivitetin si dhe jetën e djalit të tij deri në ditën e zhdukjes, 9 gusht të vitit 2022.
"Nga viti 2008 e pas, djali është marrë me pika lotosh me licencë, me detyrime 100% të paguara ndaj kompanisë, si dhe ato vendore. Pikën e parë nuk e mbaj mend ku e ka hapur. Po të më pyeste mua, do t’i thoja jo. Kam dijeni që djali është dënuar për lojëra fati. I kam kaluar të gjitha hetimet, nga Banka e Shqipërisë te pastrimi i parave. Biserë Haton e njoh pas ngjarjes në Bllok në vitin 2018, ku u plagos djali dhe u vra një tjetër. Vrasësi nuk ka bërë asnjë ditë burg. Një pasuri që sot është e sekuestruar në emër të Biserë Hatos ia ka falur im bir Eljo Hatos, me pëlqimin tim. Falja e banesës është bërë vetëm sepse Eljo Hato, i ka shpëtuar jetën Visit. Makinën e parë të mirë që ka pasur djali e ka pasur me paratë e mia. Ka kushtuar 60 mijë euro, ose 48 mijë euro. Herët ia kam blerë. Në jetën e vet s’më ka sjellë shqetësim në shtëpi. Nuk ka të ri që s’ka konflikte apo zënka. Në vitin 2018 ka ardhur dhe ka jetuar me gjithë familjen tek unë. Iku nga Tirana, bëmë pashaportizimin. Merrej kryesisht me gjueti peshku, jo për tregti. Në Laç ka qëndruar deri ditën e zhdukjes, më 9 gusht të vitit 2022. Jetonte me të ardhurat që ka pasur nga biznesi me të cilin është marrë; pastaj ka jetuar me mua. Me siguri ka blerë ndonjë makinë vetë. Nuk di për ndonjë pronë të tijën në Tiranë. Kishte një apartament tek “Qemal Stafa”; për dijeninë time, asnjë pronë tjetër. Hotel Arbëria duhet ta kem blerë në vitet 2016–2017. Ishte i mbyllur në atë kohë. Kam investuar paratë e dynjasë. Pas zhdukjes së Visit, 23 herë më ka ardhur policia. Mos të rëntë e liga, unë s’jam as budalla, as naiv. Pyet Nallbatin me shokë të të tregojnë ata".
/ZËRI