
TIRANË- Dita e Mësuesit më 7 Mars nuk është thjesht një moment mirënjohjeje për to, por është kthyer në një garë e heshtur mes prindërve dhe nxënësve për të bërë dhuratën më të veçantë. Ajo që dikur simbolizohej nga një tufë lulesh dhe një kartolinë falënderimi, sot është kthyer në një treg të mirëfilltë ku parfume luksoze, bizhuteri dhe deri edhe udhëtime të paguara janë bërë pjesë e traditës. Por sa kushton kjo festë për prindërit dhe a po zbehet vlera e vërtetë e mirënjohjes mes kësaj gare të dhuratave? Monitor shkruan se gama e dhuratave nis nga libra dhe kuponë për blerje librash me vlerë 2000-3000 lekë, bizhuteri që nisin nga 2500 deri në aksesorë prej ari që arrijnë 30 mijë lekë; tufa lulesh prej 1500-3500 lekë, shpesh të shoqëruara e me një zarf me vlera monetare ose një dhuratë tjetër simbolike apo edhe udhëtime, kryesisht brenda vendit, në destinacione të afërta me pagesë hoteli. Format e tjera të dhuratave përfshijnë parfume ose paketime në formë setesh kozmetike, që nis nga 2500 lekë apo artikuj mode si çanta elegante, portofola, syze dielli ose rripa. Megjithatë, pavarësisht tendencave drejt dhuratave më të kushtueshme, disa nxënës dhe prindër preferojnë të ruajnë traditën e kartolinave të bëra vetë, duke i shtuar atyre një prekje personale me mesazhe falënderimi.