TIRANË- Krimet në fushën e drogës arritën nivel rekord në vitin 2025, sipas të dhënave të INSTAT. Gjatë vitit u regjistruan mbi 3,649 raste, një rritje prej 27% krahasuar me një vit më parë, duke kaluar edhe kulmin e vitit 2016, kur vendi përjetonte periudhën e kultivimit masiv të kanabisit. Veprat penale të lidhura me drogën renditen të dytat më të përhapura në vend, pas shkeljeve të qarkullimit rrugor me 6,103 raste. Në vend të tretë janë krimet kundër shëndetit, ndërsa vjedhjet u rritën me 22%. Rritje të fortë shënuan edhe përndjekjet me gati 70%, ndërsa korrupsioni ra me 8.6%. Në total, gjatë vitit 2025 u evidentuan 38,345 vepra penale. Numri i autorëve të dyshuar arriti në 45,334, ku 93.3% janë meshkuj dhe grupmosha më e përfaqësuar është 30-44 vjeç. Po ashtu, u regjistruan 19,145 persona të dëmtuar, ku 39.3% janë viktima të krimeve kundër personit. Femrat përbëjnë 36.7% të kësaj kategorie, kryesisht në krime seksuale dhe ato kundër familjes.
/ZËRI