TIRANË- Të dhënat e siguruara nga BIRN nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës zbulojnë një anomali të dukshme, ku volumi i ndërtimeve dhe çmimet e pronave vazhdojnë të rriten, ndërkohë që numri i shitjeve tkurret. Në Tiranë, çmimet e pronave pësuan një rritje agresive gjatë viteve 2023-2024, duke e bërë strehimin një mision të pamundur për qytetarin e shtresës së mesme. Në nivel kombëtar, trendi i shitjes së pronave shënoi një kulm absolut në vitin 2022 me 37,684 kontrata, i pasuar me një tkurrje thelbësore prej afro 17.2% deri në vitin 2024, duke zbritur në 31,199 kontrata. Tregu shënoi sërish rritje gjatë vitit 2025, ku u regjistruan 36,027 transaksione me pasuritë e paluajtshme. çmimet e pronave në kryeqytet për 3 vitet e fundit janë rritur mes 49.4% në zonën veriore deri në 74.9 për qind në zonat e tjera të Tiranës. Për ekspertët, ky treg që dominohet nga blerës që nuk pyesin për çmimet është dëshmi e ekonomisë informale dhe dyshimeve për pastrim parash.
/ZËRI