TIRANË- Biznesmeni Ilir Rrapaj ka humbur ndjenjat në momentin që është njohur me akuzat e komunikuara në lidhje me dosjen e sterilizimit. Rrapaj deri më tani akuzohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “mashtrimit”, e kryer në bashkëpunim dhe me pasoja të rënda, por GJKKO kërkon që biznesmeni të gjykohet për veprën penale “vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, një vepër që dënohet deri në 10 vite burg. Dy të pandehurit e tjerë janë ish-ministri Ilir Beqaj dhe ish-zëvendësministri Klodian Rrjepaj. Beqaj akuzohet për “shpërdorim detyre”, e kryer në bashkëpunim, vepër që dënohet me burgim deri në shtatë vjet, ndërsa Rjepaj për “mashtrim” të kryer në bashkëpunim dhe me pasoja të rënda, si dhe “falsifikimit të dokumentave”, e kryer në bashkëpunim, e “shpërdorim detyre” e kryer në bashkëpunim. Të pandehur për koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 mln euro janë marrë edhe gjashtë ish-zyrtarë të tjerë: Genc Burazeri, Marsela Serjanaj, Arben Gjata, Naile Ajazi, Petro Mersini, si dhe Saimir Kadiu.
SPAK e nisi hetimin për këtë koncesion në vitin 2019, pas një kallëzimi të depozituar nga “Nisma Thurje”. Në 2020-ën çështja u regjistrua për 3 akuza që janë “shpërdorim detyre”, “shkelje të barazisë në tendera” dhe “korrupsion pasiv”.
Hetimet kishin në fokus marrëveshjen mes ministrisë me kompaninë "Sani Service" që fitoi koncesionin me vlerë 100 mln Euro. Raportet e bëra ndër vite nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë ngritur alarmin se ky koncesion po i shkaktonte një dëm të madh ekonomik buxhetit të shtetit pasi kostot kishin nisur të rriteshin me 20-30% më shumë nga ç’ishin parashikuar në kontratë. Gjithashtu, kontrata e lidhur mes ministrisë së asaj kohe dhe kompanive që kishin fituar koncesionin, ishte në favor të “Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë” dhe jo të shtetit.