
TIRANË- Një inspektor i Policisë Kufitare në Rinas është vënë në pranga, tre të tjerë janë lënë në ‘arrest shtëpie’ ndërsa katër të tjerë në ‘detyrim paraqitjeje’ pasi akuzohen se janë përfshirë në një skemë kalimi të paligjshëm kufiri. Gjithçka ndodhte në bashkëpunim me pronarin e një agjensie turistike, Eneo Sulejmanajn, një person i arrestuar në muajin mars të këtij viti për trafik të lëndëve narkotike. Në pranga është vënë Briken Terziu, në arrest shtëpie janë lënë Sokol Xhixha, Ermal Mesi dhe Aris Drini, ndërsa në masën ‘detyrim paraqitje’ janë lënë Ylli Prençi, Rei Shenjtolli, Enkis Aliaj dhe Argil Hasa. Përgjimet mes Sulejmanajt dhe Terziut në aplikacionin Signal zbuluan kalimin e një nëne me tre fëmijë të mitur, të cilët nuk kanë prokurë nga i ati. Bisedat gjithashtu kanë zbuluar kalimin e të miturve pa prokurën e prindërve apo dhe të personave me probleme me ligjin. Për kalimet përfitoheshin shuma monetare nga 50-500 euro.