TIRANË- Mustafa Bici, babai i Fatjon Bicit, i cili u vra me thikë në zemër në afërsi të shkollës në Gramsh ka deklaruar se do të bëjë vetëgjyqësi, nëse autorët e krimit, nuk marrin dënimin e merituar. Nga dera e Gjykatës së Apelit në Tiranë, Mustafa Bici tha se autorët e krimit nuk meritojnë gjykim të shkurtuar, procedurë kjo që u ul dënimin e marrë.
Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Elbasanit. Ergi Karaj është dënuar me 12 vite burg për veprën penale të vrasjes në rrethana cilësuese, 10 vite burg për veprën penale plagosje, 10 vite burg për vrasje të mbetur në tentativë dhe 5.5 vite për armëmbajtje. Në total ai u dënua 27 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar, gjykata vendosi përfundimisht që ai të vuajë 18 vite burg.
Bashkëpunëtori i tij, Orgito Çarçiu u dënua me 21 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar, ai do të vuajë 14 vite. Xhonatan Çekrezi u dënua me 12 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar, 8 vite. Ndërsa Stiven Murati u dënua me 10 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar, do të vuajë 6 vite e 8 muaj burg.
Ngjarja e rëndë u shënua në Maj të vitit të kaluar, vetëm pak metra larg shkollës ku 4 adoleshentët i bënë pritë kushëririt të Fatjon Bicit, me të cilin ishin konfliktuar në rrjete sociale. Të pajisur me thika dhe doreza forcuese grushti sulmuan kushëririn e Fatjonit, ndërsa ky i fundit mbeti i vrarë me thikë teksa hyri për ta mbrojtur.