TIRANË- Gazetari Artan Hoxha është ndaluar ditën e djeshme që të hyjë në Greqi, dhe i është bërë me dije statusi “non grata” nga shteti fqinj. Hoxha ka qenë duke kaluar në pikën e Kakavijës, në momentin që është ndaluar nga autoritetet greke, me argumentin se përbën një kërcënim për rendin publik. Gazetarit i është marrë pasaporta, dhe është mbajtur për rreth një orë i ndaluar nga autoritetet greke. Në vendimin që policia greke i ka dorëzuar gazetarit Hoxha, thuhet se ai është karakterizuar si person i padëshirueshëm, si dhe konsiderohet person i rrezikshëm për rendin publik dhe sigurinë e brendëshme, për shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të një ose shumë shteteve të Bashkimit Europian. Më pas, gazetarit Hoxha i është vendosur kryq me stilolaps në pasaportë mbi vulën e policisë greke dhe i është kërkuar të largohet menjëherë nga territori grek. Shpallja e tij non grata dyshohet se lidhet me qëndrimet që ai ka mbajtur në drejtim të Fredi Belerit, i cili u zgjodh eurodeputet në Greqi.
/ZËRI