TIRANË- Ditën e hënë, Sali Berisha u paraqit në SPAK, ku qëndroi për një orë dhe u pyet për rolin e tij në protestën e 21 janarit 2011, ku katër protestues u vranë para ndërtesës qeveritare. Ai deklaroi se nuk ka dhënë urdhër që të qëllohet ndaj protestuesve, sepse, sipas tij, Garda e Republikës vepron sipas ligjit dhe jo sipas urdhrave.
Në të njëjtën ditë, Edi Rama ndodhej në Bruksel, ku mori pjesë në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, për të festuar hapjen e kapitujve të fundit për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Ai tha se anëtarësimi në BE nuk është më thjesht një ëndërr, por tani është një realitet me program pune konkret.Në anën tjetër, Partia Demokratike organizoi para Kryeministrisë një “parlament paralel” me qytetarë, që sipas saj do të jetë i përjavshëm si kundërpërgjigje ndaj ndalimit të debatit të opozitës në Kuvend.Të martën u mbajt një seancë “maratonë” në Kuvend për projekt-buxhetin e vitit 2026. Debatet mes opozitës dhe mazhorancës ishin të ashpra, veçanërisht për buxhetin dhe për skandalin e Belinda Ballukut. Një reagim erdhi edhe nga vetë zëvendëskryeminsitrja, e cila u shpreh nuk ka asnjë koment për çështjen në hetim dhe se nuk do të prononcohet derisa e vërteta të dalë. Pas 16 orësh debate buxheti u miratua me 83 vota nga mazhoranca.
Gjatë kësaj jave, SPAK caktoi masat e sigurisë për Belinda Ballukun,“pezullim nga detyra” dhe “ndalim daljeje nga vendi”. Ajo akuzohet për shkelje të barazisë në tenderat e dy projekteve: Tunelit të Llogarasë dhe Lotit 4 të Unazës së Madhe, me vlerë 210 mln euro.
View this post on Instagram
Gjykata e Posaçme vendosi masën “arrest shtëpie” për drejtuesin e Autoritetit Rrugor Shqiptar Gentian Gjylin, dhe për kreun e KESH-it, Erald Elezi, të cilët akuzohen së bashku me Ballukun për paracaktim të fituesve në tendera. Pas këtij vendimi, Balluku u takua me Ramën në Kryeministri në një takim që zgjati rreth 7 orë, takim ku u bashkua dhe ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Ndërsa të premten Rama reagoi për herë të parë për çështjen Balluku, ku u shpreh para gazetarëve se në vend të Ballukut nuk do të ketë një njeri tjetër në pozicionin e zëvendëskryeminsitres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërsa shtoi se vendimi i GJKKO-së për pezullimin nga detyra të Ballukut do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Ai shtoi ndër të tjera se pavarësia e ekzekutivit u cënua rëndë nga një vendim i një gjykatësi dhe një prokurori.
Pak orë më vonë pas deklartës së tij, qeveria depozitoi në Gjykata Kushtetuese ku kërkoi që të shfuqizohej vendimi i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut nga postet e saj drejtuese në qeverinë “Rama 4”./ZËRI