
TIRANË- Një operacion antidrogë është zhvilluar sot në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, ku janë përfshirë forca të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore si dhe forca të drejtorisë së policisë së qarkut Korçë. Gjatë aksionit janë sekuestruar 6 kg heroinë e presuar dhe e paketuar në formë çokollate.
Droga është gjetur brenda një automjeti duke dalë në kufi, ndërsa në pranga ka rënë shoferi i automjetit. I arrestuar me vendbanim në Pogradec, sasinë e drogës e kishte fshehur në një vend të ndërtuar enkas për lëndën narkotike. Operacioni është mbajtur tepër sekret edhe për policinë kufitare të Kapshticës, pasi ka dyshime për persona të tjerë të përfshirë nga radhët e Policisë dhe doganierëve, të cilët dyshohet se kanë lehtësuar hyrjen ose daljen e drogës./ZËRI