
TIRANË- Bankat, në pjesën më të madhe po financojnë blerjen e pasurive të paluajtshme dhe banesave për individët dhe për bizneset, ndërsa shumë pak po financohet për blerje pajisjesh, një instrument që do të ndikonte në rritjen e produktivitetit në ekonomi. Monitor shkruan se rreth 400 miliardë lekë (4 miliardë euro), ose gjysma e stokut të huasë që është dhënë nga bankat deri në fund të 2024-s ka shkuar për pasuri të paluajtshme e blerje banesash. Nga këto, individët kanë rreth 2.1 miliardë euro, që kanë marrë për banesa dhe duhet t’i shlyejnë në banka dhe bizneset rreth 1.9 miliardë euro.
Në krahasim me një vit më parë, stoku i huasë për këtë qëllim për biznese e individë është rritur me rreth 17%. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në raportin vjetor të mbikëqyrjes 2024, kredia “hua për pasuri të paluajtshme” “hua për blerje banesash” për individët, zë peshën më të madhe ndaj totalit të portofolit të kredisë me 26.8%, pasuar nga “hua për pasuri të paluajtshme” për bizneset me 24.3%. Të dy këtë kategori së bashku zënë 51.1% të totalit. Rritja e ekspozimit të sistemit bankar ndaj ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme ka bërë që Banka e Shqipërisë të forcojë kriteret e kredidhënies për këtë aktivitet. Banka e Shqipërisë aplikoi për herë të parë vitin e kaluar një shtesë të posaçme në kërkesat për kapital ndaj sektorit bankar. Shtesa kundërciklike e kapitalit u vendos për herë të parë në qershor, në nivelin 0.25% (për t’u zbatuar nga 30 qershor 2025) dhe u rrit në dhjetor në nivelin 0.5% (për t’u zbatuar nga 31 dhjetori 2025). Këtë vit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi disa masa kufizuese për kredinë bankare për shtëpi. Sipas vendimit, raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.