
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka thënë edhe njëherë "Jo-në" e tij ndaj planit të Mbretërisë së Bashkuar për të sjellë në vendin tonë azilkërkuesit e dëbuar nga vendi ishullor. Në një intervistë për "The Guardian", Rama tha se fakti që Mbretëria e Bashkuar të donte të kërkonte vende për të larguar emigrantët, do të kishte qenë e pakonceptueshme një dekadë më parë. Madje Rama, i cili është i njohur për pikëpamjet e tij të hapura dhe kontradiktore, shprehu zhgënjim për nivelin e diskursit publik në Mbretërinë e Bashkuar. Por kjo nuk ishte hera e parë që Starmer e shtron këtë kërkesë.
Nën qeveritë e mëparshme konservatore, marrëdhëniet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë u tendosën gjithnjë e më shumë, ndaj edhe vizita e Starmer në maj, e para ndonjëherë nga një kryeministër britanik, kishte për qëllim rivendosjen e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Anglisë. Ndërsa ishte në Tiranë, udhëheqësi i Partisë Laburiste tha se bisedimet ishin duke u zhvilluar “me disa vende" për të ngritur qendrat e azilkërkuesëve. Në këtë moment, Rama e "qortoi" butësisht, duke shtuar se Shqipëria nuk do të merrte pjesë në këtë skemë. Duke u përpjekur të sqaronte situatën, Rama tha se pavarësisht se Starmer, është një person shumë i mirë dhe i këndshëm, përgjigjia e tij do të ishte gjithmonë e njëjtë. Fakti që Shqipëria kishte rënë dakord më parë për një skemë të ngjashme me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, ishte krejt ndryshe për shkak të marrëdhënies së veçantë që kanë vendet. Që nga dita kur regjimi brutal stalinist i Shqipërisë u shemb në vitin 1991, Italia ka qëndruar shumë pranë Shqipërisë. Këtë arsyetim përdori dhe Rama./ZËRI/