
TIRANË- Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur me debate dhe replika. Fillimisht pati debate mes kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhit dhe kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali lidhur me rendin e ditës. Bardhi kërkoi nga Spiropali që të fusë në rend, çështjen e zgjedhjes së Avokatit të Popullit. Gjithashtu ai ka kërkuar që të kryhen dëgjesat me institucionet e pavarura dhe Kuvendi të vijojë punën edhe pas 8 korrikut.
Më pas, ndërhyri kryedemokrati Sali Berisha që e cilësoi problemin e Avokatit të Popullit si një problem që shtyhet prej pothuajse një viti nga maxhoranca. Berisha shtoi se Partia Socialiste heziton të zgjedhë në krye të këtij institucioni një kandidaturë nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë, teksa fliste për Besim Ndregjonin. Përgjigjen e mori nga ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla. Ky i fundit ftoi opozitën për të nënshkruar një tjetër marrëveshje si ajo e 17 majit, e lidhur mes kryeministrit Edi Rama dhe asokohe kryedemokratit Lulzim Basha. Propozim që u prit me të qeshura nga ana e majtë e sallës, aty ku ulet dhe opozita. Ndërsa deputeti i opozitës Dashnor Sula ka akuzuar mazhorancën dhe veçanërisht kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali, për shkelje flagrante të Kushtetutës. Por edhe pse pati përplasje, çështja u mbyll pa një afat se kur palët do të diskutojnë sërish për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. E ndërkohë, Erinda Ballanca vazhdon në detyrë pa mandat prej 3 vitesh.