
KURBIN- Selman Mihana, 70 vjeç u vra këtë të shtunë në Gurëz të Kurbinit ndërsa Ardian Gjeloshi, i cili ishte dhe “shënjestra” e atentatit mbeti i plagosur. Ngjarja u regjistrua rreth orës 07:00 të mëngjesit në ambientet e firmës që merrej me përpunimin e inerteve. Gjeloshi, mësohet se ka marrë 2 plumba dhe ndodhet në spitalin e Traumës nën kujdesin e mjekëve.
Autorët, të cilët kanë qëndruar jashtë rrethimit të biznesit kanë qëlluar të paktën 15 herë në drejtim të Ardian Gjeloshit ndërsa më pas janë larguar duke humbur gjurmët.
Pistat ku po heton Policia janë disa. Njëra ka lidhje me një ngjarje të rëndë të ndodhur në vitin 2002, ku Ardian Gjeloshi dhe i vëllai Dritan Gjeloshi qëlluan mbi një kamionçinë dhe vranë Marie Prengën. Nga të shtënat mbetën të plagosur dhe oficeri i FNSH Kastriot Prenga, Gjergj e Vitore Prenga.
Por nuk përjashtohen as konfliktet në biznes. Mësohet se Gjeloshi ishte në mosmarrëveshje biznesi me një fis nga fshati Pllanë i Lezhës. Ndërsa më herët i kanë plagosur dhe djalin. Policia dhe RENEA kanë rrethuar zonën me qëllim kapjen e autorëve./ZËRI