TIRANË-Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq 6 persona dhe 5 shoqëri biznesi për mashtrim, pastrim parash dhe fshehje të ardhurash. Në qendër të hetimit është rrjeti i kompanisë së njohur TIBO, përfshirë administratorin Adnand Mahmuti dhe 5 persona të tjerë. Hetimi nisi në vitin 2023, pas kallëzimit të biznesmenes shqiptaro-gjermane Mirlinda Heidorn, e cila akuzon Mahmutin për mashtrim. Ky i fundit i kishte kërkuar biznesmenes një hua prej 2.2 milionë eurosh, të përfituara nga sipërmarrësja prej shitjes së një pasurie të paluajtshme. Sipas hetimeve, Andand Mahmuti përdori gënjeshtrën dhe shfrytëzoi marrëdhënien miqësore me biznesmenen për të mos i kthyer paratë, ndërkohë që të gjitha kompanitë e përfshira kishin mundësi financiare. Sipas prokurorisë, ky rezulton një veprim i qëllimshëm për të mos kthyer huanë. Lidhur me këtë skemë mashtrimi, në korrik të vitit 2023, gjykata vendosi sekuestrimin e të gjitha kompanive të përfshira.
/ZËRI